Arkiv

Posts Tagged ‘Berlusconi’

Italia, “jo e besueshme” sipas “Standard&Poor”

Shtator 21, 2011 Lini një koment

Dita e djeshme i ka shtuar shumë “dhimbjet e kokës” për qeverinë italiane dhe sigurisht edhe telashet për italianët dhe ekonominë e këtij vendi që është në një fazë shumë problematike. Standard&Poor e ka ulur besueshmërinë e bankave italiane në një vendim të papritur. Kjo ka bërë që në një reagim të menjëhershëm Fondi Monetar Ndërkombëtar të deklarojë se në përgjithësi, liderët e Europës nuk po sillen siç duhet për të zgjidhur krizën që ka kapur gjithë kontinentin. Kjo ishte goditje e rëndë për Italinë, në mes të krizës së borxheve. Agjencia e vlerësimit “Standard & Poor’s” ka ulur kredibilitetin e vendit duke vlerësuar aftësinë e kthimit të kredive nga “A+” në “A”. Nota për Italinë mund të ulet edhe më tej, sepse perspektivat janë “negative” bëri të ditur S&P të hënën në darkë në Londër.  “Ulja e kredibilitetit pasqyron mendimin tonë për perspektivat e këqija të zhvillimit të ekonomisë së Italisë”, argumentoi S&P hapin e marrë. Reforma e aprovuar kohët e fundit nuk mjafton për të penguar këtë zhvillim. S&P vlerësoi se qeverisë së Italisë i mungon aftësia për të vepruar. Për shkak të vlerësimit të ulët, ekziston rreziku që Italia të duhet të paguajë norma më të larta interesi në marrjen e kredive të reja. Sepse sa më e ulët të jetë aftësia për të paguar, aq më i madh është rreziku që kreditorët të mos i shohin më paratë e dhëna. Për këtë rrezik, dhënësit e parave kërkojnë të paguhen norma më të larta interesi. Bursistët presin ditën e martë të shkaktohen humbje në tregun gjerman të aksioneve, rënia do të vazhdojë. Rënia e kredibilitetit të Italisë është një lajm tjetër i keq në Europën e mbushur me lajme të këqija, thotë analisti Ben Potter nga IG Markets. Tregtarët folën për të papritur, sepse vlerësimi i bërë nga S&P ishte më ulët se ai i bërë nga konkurrenti Moody’s. Si reagim ndaj uljes së vlerësimit për Italinë, euroja ra ditën e martë. Ajo kushtonte 1,36 dollarë. Pas Greqisë, Italia ka borxhet më të mëdha në zonën e euros. Për të luftuar këtë, Italia aprovoi së fundi një paketë kursimesh në volumin e 100 miliardë eurove. Italisë iu desh të rifinanconte javën e kaluar tregun e kapitaleve me norma më të larta interesi. Në një ankand bonosh me afat pesëvjeçar, përqindja u rrit në 5,6 për qind. Italia vuan nga një rritje e ulët ekonomike. Organizata për Ekonominë dhe Zhvillimin OECD, pret sipas prognozave të fundit stanjacion për këtë vit. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ulur shifrat për vitin e ardhshëm nga 0,7 në 0,5%. Qeveria italiane e Kryeministrit Silvio Berluskoni kritikoi vlerësimin e ulët të kredibilitetit të vendit të tij nga “Standard & Poor’s”. Të martën, paradite ai tha se duket se vlerësimi i agjencisë është “diktuar” nga njoftimet e shtypit. Sipas tij, vlerësimi i “Standard & Poor’s” nuk u përgjigjet fakteve dhe është “devijuar jo nga faktet, por nga “konsideratat politike”.

Advertisements
Kategori: Ekonomi Etiketa: ,